Lajme

Pse përmbajtja është pjesa më e rëndësishme e website-it

Pse përmbajtja është pjesa më e rëndësishme e website-it

Cila është gjëja e parë që shikoni kur vizitoni një faqe interneti? Pamja vizuale? Përmbajtja? Apo kodi? Nëse jeni si shumica e njerëzve, bëni pjesë te kategoritë e para, pra te ata që hedhin një vështrim pamjes vizuale dhe përmbajtjes. Them “hedhin një vështrim” sepse shumica e njerëzve këtë bëjnë kur vizitojnë një faqe; i hedhin një sy të shkurtër dhe, nëse gjejnë atë që kërkojnë, mund të qëndrojnë më gjatë. Nëse jo, kërkojnë gjetkë.

Shumë pronarë biznesesh shqetësohen që faqja e kompanisë së tyre të duket sa më “cool”, pa i kushtuar vëmendjen e duhur përmbajtjes. Është e vërtetë, pamja e bukur mund të shesë. Por pyesni veten: “A do të qëndroja me dikë vetëm për fytyrën e tij/saj simpatike, apo për trupin e skalitur?” Disa sigurisht që do të qëndronin, por shumica e njerëzve kërkojnë te partneri diçka më shumë se pamjen. E njëjta gjë vlen kur zgjidhni një kompani mes qindra e mijëra të tjerave që garojnë për vëmendjen tuaj. Si mund të tërheqë një kompani klientë përveçse me drogën më të fuqishme që ka përdorur ndonjëherë njerëzimi? Fjalën e shkruar. Nuk mund të shesësh nëse mesazhi yt nuk është i qartë, sado e hijshme të jetë faqja jote. Pse, pra, përmbajtja e qartë (content) është gjëja më e rëndësishme në faqen tuaj?

Përmbajtja e mirë dhe e qartë ju ndihmon ta qartësoni mesazhin tuaj

Siç thotë Donald Miller, CEO i StoryBrand: “Nëse ngatërron, humbet.” Shqyrtoni gjithë përmbajtjen e faqes suaj dhe rrethoni të gjitha fjalët zhargon të biznesit. Nëse ngatërrojnë, hiqini ose zëvendësoni me diçka më të thjeshtë. Klientët që vijnë në faqen tuaj nuk duhet të djegin kalori për të kuptuar se çfarë bën kompania juaj. Në vend që të thoni “ju ndihmojmë të rrisni ROI-n dhe metrikat që kanë rëndësi”, mund të thoni thjesht “ju ndihmojmë të fitoni më shumë para”. Është e thjeshtë dhe u flet drejtpërdrejt njerëzve.

Përmbajtja e shkëlqyer do t’ju sjellë më shumë vizitorë në faqe

Dizajni vetë nuk shet. Shet përmbajtja e shkëlqyer (content). Sa më e veçantë të jetë përmbajtja që prodhoni, aq më shumë njerëz do ta vizitojnë faqen tuaj. Dhe nëse përmbajtja u flet me gjuhë të thjeshtë, ata do të angazhohen me ju. Është njësoj si në një marrëdhënie; nuk mund t’i kërkosh dikujt të martohet me ty nëse ai nuk është i përkushtuar ndaj teje, dhe anasjelltas. Njerëzit do ta vizitojnë faqen tuaj dhe do të qëndrojnë më gjatë vetëm nëse ajo që thoni është relevante për ta, e thjeshtë dhe e qartë.

Përmbajtja e qartë ju ndihmon të shisni më shumë

Përkushtimi nuk mjafton; ti do që pala tjetër të thotë realisht “po” propozimit tënd për martesë. Njësoj, ju doni që njerëzit të klikojnë realisht butonin “Blej tani”. Përpara se ta bëjnë këtë, megjithatë, ata pyesin veten “a e besoj vërtet këtë kompani?” dhe “si mund ta përmirësojë jetën time kjo kompani?” Nëse përmbajtja juaj i ndihmon t’u përgjigjen këtyre dy pyetjeve thelbësore, jeni një hap më afër shitjes së produktit ose shërbimit tuaj. Një foto mund të vlejë sa një mijë fjalë, por edhe një fjalë mund të vlejë sa një mijë foto. Përndryshe, si do të vazhdonin njerëzit të lexonin Komedinë Hyjnore, Hamletin, Don Kishotin, Faustin, Oliver Twist, Krim e Ndëshkim dhe vepra të tjera të mëdha letërsie?

Përpara se të ankoheni që njerëzit nuk blejnë nga ju, bëni një pyetje: “A është përmbajtja në faqen time relevante, e qartë, e thjeshtë dhe njerëzore?” Pjesa tjetër do të vendoset vetë.

Po planifikoni një faqe të re ose një ridizajnim? Shikoni si punon ekipi ynë i dizajnit dhe zhvillimit të faqeve web.